Rhema është një organizatë jofitimprurëse që shpërndan libra të krishterë falas.

Mësoni se çfarë bëjmë ne si organizatë jofitimprurëse, historinë e veprimtarive tona dhe si mund të merrni pjesë ju.

Shpërndarësit e letërsisë Rhema janë një grup besimtarësh në të gjithë globin të angazhuar në një mision të vetëm: të shpërndajnë aktivisht letërsinë e krishterë të cilësisë më të lartë. Në mbi 100 vende dhe në më shumë se 40 gjuhë, ne shpërndajmë sipas një parimi të thjeshtë: e gjithë letërsia jonë dhurohet tërësisht falas.

Ne shpërndajmë libra që na kanë ndihmuar së tepërmi për të kuptuar Biblën dhe për të njohur e përjetuar Krishtin në jetën tonë të përditshme. Veçanërisht ne bashkëpunojmë ngushtë me Living Stream Ministry për të shpërndarë një numër të titujve kryesorë nga autorët e tyre.

Ne jemi një organizatë bamirëse jofitimprurëse; shpërndarja e librave tanë mundësohet nëpërmjet dhuratave nga besimtarë e kisha nga e gjithë bota. Ata na kanë besuar mjetet për të qenë një kanal i lirë dhe i gjerë furnizimi për të gjithë ata që kërkojnë ta njohin Perëndinë në një mënyrë të thellë e të kënaqshme.

besimi ynë

Njerëzit herë pas here pyesin për besimet tona. Këtu është shpallja e besimit tonë. Ndjekja e këtyre besimeve nuk është kërkesë për të marrë librat tanë. Librat tanë janë të disponueshëm falas për çdonjërin me çfarëdolloj besimesh.

Ne në Rhema i përmbahemi besimit të përbashkët që kanë të gjithë besimtarët, përmbajtja e të cilit është paraqitur një herë e përgjithmonë në Dhiatën e Re. Veçanërisht, ky besim i përbashkët në Dhiatën e Re përbëhet nga çështjet e mëposhtme në të cilat ne besojmë për sa i përket Biblës, Perëndisë, Krishtit, shpëtimit dhe amshimit:

  • Bibla është zbulesa e plotë hyjnore dhe çdo fjalë e saj është frymëzuar nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë.


  • Perëndia është unik dhe përjetësisht një e megjithatë Ai është gjithashtu përjetësisht triun si Ati, Biri dhe Fryma, me këta të tre që janë të dallueshëm, por jo të ndarë.


  • Perëndia në Krishtin u mishërua për të qenë një njeri i vërtetë, i përkryer, i quajtur Jezus. Ai u kryqëzua në kryq dhe vdiq në një vdekje zëvendësuese për shpengimin tonë. Në ditën e tretë ai u ngrit nga të vdekurit, duke u ringjallur me një trup të përlëvduar. Ai u ngrit në krahun e djathtë të Perëndisë dhe u bë Zoti i gjithçkaje.


  • Njeriu mëkatoi e është mëkatar dhe, si i tillë, ra nën gjykimin e Perëndisë. Por nëpërmjet vdekjes zëvendësuese të Krishtit, u hap rruga që njeriu të marrë shpëtimin nga mëkati dhe gjykimi i Perëndisë. Sa herë që një njeri pendohet para Perëndisë dhe beson në Zotin Jezu Krisht, ai merr shpëtimin e amshuar, faljen e mëkateve, përligjjen përpara Perëndisë, madje edhe paqen me Perëndinë. Duke u bazuar mbi këtë, një njeri i shpëtuar merr jetën dhe natyrën hyjnore, që e bëjnë atë fëmijë të Perëndisë dhe pjesë të Trupit të Krishtit në të cilin të gjithë besimtarët rriten dhe ndërtohen së bashku deri në pjekuri.


  • Krishti po vjen përsëri në tokë për t’i marrë besimtarët e Tij te Vetvetja. Në amshim ne do të banojmë me Perëndinë në Jerusalemin e Ri, që është realizimi përfundimtar i shpëtimit të Perëndisë për të zgjedhurit e Tij.

Synimi ynë në Rhema është të shpërndajmë falas një koleksion unik të shkrimeve të krishtera, që besojmë se do të rritin në maksimum kuptimin dhe përjetimin e lexuesit për këtë besim në Dhiatën e Re. Besimtarët gëzojnë jo vetëm një shpëtim të amshuar në Krishtin nëpërmjet shpengimit të Tij, por edhe një shpëtim të përditshëm në jetën e Tij, që mund të realizohet praktikisht nëpërmjet ushqimit frymëror nga Bibla. Ky ka qenë përjetimi ynë; shpresojmë se ai do të jetë edhe i juaji.

Historia jonë

Mbi 30 vjet histori të Rhema Literature Distributors

Rhema ka shpërndarë letërsi falas që në mesin e viteve 1980. Së pari filluam të shpërndajmë Biblën dhe libra frymërorë në gjuhën ruse për vendet e ish Bashkimit Sovjetik. Mënyra kryesore e shpërndarjes ishte nëpërmjet postës për secilin kërkues, por gjithashtu bashkëpunonim me grupe të tjera për të përhapur të vërtetën nga Fjala e Perëndisë në shumë vende.

Më 1999 përpjekjet në gjuhën ruse arritën kulmin me një shpërndarje masive të një botimi të ri të Dhiatës së Re në rusisht, që përmbante komente të zgjeruara dhe materiale studimore.

Më 2001 Rhema filloi të shqyrtonte nevojën për të shpërndarë letërsi frymërore falas në gjuhë e vende të tjera; kjo çoi në një zgjerim gradual që përfshiu rajone të tjera kryesore të globit. Si valë të parë, shtuam dhjetë gjuhë të tjera dhe përgatitëm një komplet standard librash për shpërndarje.

Më 2006 Rhema hartoi plane për një tjetër valë gjuhësh, duke përfshirë ato kryesore për Lindjen e Mesme dhe Azinë.

Gjatë këtyre 20 viteve të kaluara, janë shpërndarë miliona kopje të letërsisë së krishterë, të gjitha falas.

Librat tanë të krishterë falas

I disponueshëm në format libri elektronik ose libri të printuar

Librat tanë mund t'ju ndihmojnë ta njihni Biblën, të mësoni rreth Krishtit dhe të siguroni ndihmë praktike për jetën tuaj të krishterë. Kjo seri përmban 7 libra që janë sistemuar në 3 komplete. Temat në këtë seri përparojnë njëra pas tjetrës dhe janë një furnizim i mrekullueshëm për çdonjërin.

Mësoni më shumë

Ndajeni me të tjerë